Testi i maturës është testi më i rëndësishëm që nxënësit e shkollave të mesme përkatësisht maturantët i nënshtrohen çdo vit për të vlerësuar njohuritë dhe dijen e tyre në lëndët përkatëse. Ky test shërben si urë lidhëse për studime universitare dhe si rrjedhojë ndikon dukshëm në perspektivën e nxënësve.

 

Ky proces organizohet nga MASHT-i në bashkëpunim me DKA-të nga secila komunë e Kosovës dhe është proces i gjatë, i kushtueshëm dhe shumë i rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve të Kosovës që çdo vit i nënshtrohen mesatarisht 30.000 nxënës (maturant).

 

Çdo vit procesi i testit të maturës pëson ndryshime nga më të vogla (teknike) deri tek ndryshimet më të mëdha (themelore) duke krijuar konfuzion dhe paqartësi tek nxënësit që do i nënshtrohen testimit. Këtë vit testi pësoi ndryshime shumë të mëdha duke u zgjeruar në 200 pyetje total të ndara në dy teste. Testi “I” i cili u mbajt me datë 09.06.2012 dhe 31.08.2012 (afati i dytë), përmbante 120 pyetje nga lënda e Gjuhës Shqipe (50), Gjuha Angleze (40) dhe Matematika (30) ndërsa Testi “II” u mbajt me datën 23.06.2012 dhe 07.09.2012 (afati i dytë), ndërsa përmbante 80 pyetje varësisht nga profili i drejtimit përkatës të shkollave.

 

Testi u administrua nga profesorë të komunave të ndryshme dhe u mbajt në ambiente të shkollave fillore dhe të mesme por dhe në salla sportive brenda shkollave. Rëndësia e testit të maturës është rritur edhe më shumë me heqjen e provimeve pranuese në shumë drejtime të Universitetit të Prishtinës (UP) kështu që pranimi (regjistrimi) në drejtimin e dëshiruar nga nxënësi tani bëhet duke u bazuar në pikët e arritura në test.

 

Duke parë rëndësinë e këtij procesi dhe preokupimin e vazhdueshëm të nxënësve për këtë proces, Këshilli Drejtues i KNK-së me datën 12 shkurt 2012 në punëtorinë e organizuar në Durrës-Shqipëri ka vendosur që të organizojë debate dhe takime me nxënësit, profesorët, drejtorët e shkollave të mesme të Kosovës gjithashtu dhe me personat përgjegjës të MASHT-it për testin shtetërorë të maturës dhe të bëhet monitorimi i gjithë procesit të testimit duke ndihmuar në këtë mënyrë identifikimin më të lehtë dhe më shpejtë të probleme të shfaqura gjatë procesit dhe duke ndihmuar dhe ndikuar në përmirësimin e tyre.