Këshilli i Nxënësve të Kosovës -KNK është strukturë përfaqësuese në nivel nacional nëpërmjet së cilës nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës përfaqësojnë shkollat e tyre në mënyrë që të mbrojnë interesat e nxënësve dhe të bashkëpunojnë me zyrtarët, prindërit dhe profesorët për të përfituar arsimi dhe nxënësit.

 

Këshilli i Nxënësve te Kosovës është themeluar ne bazë të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar dhe si e tillë është e vetmja strukturë legjitime për të përfaqësuar zërin e nxënësve të Kosovës. Roli kryesor i Këshillit të Nxënësve të Kosovës është: “Të promovoj interesat e institucionit të shkollës në Kosovë dhe përfshirjen e nxënësve në punët e shkollës, në bashkëpunim me zyrtarët, prindërit dhe profesorët në të gjitha nivelet”.

 

Këshilli i Nxënësve të Kosovës e ka statutin e vet dhe strukturën e brendshme ekzekutive. Si e tillë është krijuar nga Këshilli Rinor Kosovar (OJQ) me mbështetje të UNICEF dhe MASHT. Momentalisht ky projekt ka përkrahje financiare nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP)- i financuar nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Ky monitorim është pjesë e programit vjetor të KNK-së i përpiluar dhe miratuar më 12 shkurt 2012 në tryezën punuese të organizuar në Durrës nga ana e Këshillit Drejtues të KNK-së. I njëjti monitorim është bërë dhe në vitin shkollor 2010/2011 duke përfunduar me një raporti cili iu është përcjellë organeve kompetente dhe iu është prezantuar të gjithë anëtarëve të KNK-së.

 

Në këtë raport është shpjeguar rëndësia e formimit, funksionimit dhe monitorimit të Këshillit Drejtues të shkollës si organi më i lartë vendimmarrës brenda shkollës, metodologjia e përdorur në monitorim, rezultatet e dala nga monitorimi të shoqëruara me statistika dhe në fund të raportit do paraqesim konkluzionet e arritura me këtë monitorim të shoqëruara me rekomandime përkatëse.