Këshilli i Drejtues i Këshillit të Nxënësve të Kosovës në periudhën Janar – Qershor 2016 mbajti takime të rregullta mujore të cilat ishin pjesë e planit vjetor të punës së KD-së për këtë vit shkollor.

 

Në këto takime u diskutuan tema mbi cilësinë e Arsimit në Kosovë ku para nxënësve u prezantuan draft raportet i Klubi për Arsim më të Mirë (KAM) si dhe draft raporti i nxjerrë nga monitorimi i Këshillit Drejtues të Shkollës i realizuar nga Grupi i Monitoruesve të Rinj (YMG).

 

Përveç takimeve, nxënësit u pasuruan edhe me njohuri dhe dije karshi trajnimeve si ai për “Monitorim dhe Avokim për Politika më të Mira” me trajner z. Hajrullah Çeku nga OJQ “Ec ma ndryshe”. Trajnimi tjetër i një rëndësie të veçantë ishte edhe ai për “Buxhet të shkollave të mesme të Kosovës” i mbajtur nga z. Shefki Kastrati nga NDI ku u tregua se si financohen shkollat e mesme të Kosovës dhe si bëhet ndarja e buxhetit për këtë nivel të arsimit.

 

Në rrjedhën e këtyre aktiviteteve u diskutua po ashtu edhe për mundësitë që iu ofrohen nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës në përfitimin e bursave për studime brenda dhe jashtë vendit. Për këto mundësi para nxënësve patëm përfaqësues nga “American Corner”.

 

Për të treguar rreth mundësisë së aktivizimit dhe zhvillimit personal të të rinjve në KD u diskutua edhe për mundësitë që i ofron Klubi i Debatit dhe Formati i Debatit “Karl Popper” ku kishim të ftuar z. Arbër Kadriu nga OJQ “INPO”.

 

Si çështje me rëndësi të veçantë për nxënësit ishte edhe informimi rreth Provimit Shtetëror të Maturës duke marrë parasysh edhe ndryshimet ligjore të cilat do të zbatoheshin këtë vit për herë të parë. Për të kuptuar më shumë rreth këtij procesi u mbajt një takim i veçantë ku të ftuar kishim z. Mustafë Kadriu nga Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) në kuadër të MASHT.

 

Aktivitetet për këtë gjeneratë u përmbyllën me takimin i cili u mbajt në parkun “Gërmia” ku të gjithë anëtarët e KD-së u pajisën me mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë një viti për fuqizimin e Këshillit të Nxënësve të Kosovës dhe ngritjen e Cilësisë së Arsimit në Kosovë.