REAGIM PER ANGAZHIMIN E KN NE FUSHATE ZGJEDHORE
REAGIM
Lidhur me Angazhimin e Këshillave të Nxënësve Komunal në Aktivitetet e Fushatave Zgjedhore
KYC Kosova, shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit që përfshijnë angazhimin e strukturave të Këshillave të Nxënësve Komunale në organizimin e aktiviteteve me parti të caktuara politike si pjesë e agjendës së fushatës zgjedhore. Raportimet e ndryshme tregojnë se nxënësit e shkollave të mesme janë ftuar të marrin pjesë në takime të ndërlidhura politikisht gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhje nacionale.
Për më shumë se dy dekada, KYC ka punuar pandërprerë për të fuqizuar kapacitetin e Këshillave të Nxënësve. Përpjekjet tona përfshijnë: a) Organizimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore të nxënësve në nivele të ndryshme; b) Ofrimin e trajnimeve dhe mundësive për nxënësit që të organizojnë iniciativa dhe të rrisin përpjekjet e tyre për avokim; c) Mbështetjen financiare dhe ofrimin e njohurive të nevojshme për të siguruar që strukturat e Këshillave të jenë demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
KYC ka bashkëpunuar aktivisht me nxënësit dhe drejtoritë komunale të arsimit gjatë katër viteve të fundit për të bashkëkrijuar Statutin e Këshillave të Nxënësve në Nivel Lokal. Ky statut thekson vlera thelbësore si gjithëpërfshirja, paanshmëria dhe demokracia.
“Nxënësit nuk duhet të përdoren si mjete për fushata zgjedhore, dhe përfaqësuesit e Këshillave të Nxënësve duhet të shmangin ndjekjen e interesave personale në dëm të zërit që përfaqësojnë.”
KYC u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara, duke përfshirë përfaqësuesit e nxënësve, Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) dhe udhëheqësit e shkollave, që të mbrojnë pa-anshmërinë e Këshillave të Nxënësve. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje partive politike që të respektojnë autonominë e përfaqësimit të nxënësve dhe të përmbahen nga përfshirja e nxënësve në aktivitete të fushatës.
Ky parim është përcaktuar qartë në Statutin e Këshillave të Nxënësve, veçanërisht:
Neni 6 – Konflikti i Interesit dhe Detyra për Besnikëri:
- Anëtarët duhet të shmangin pjesëmarrjen në vendimmarrje ku interesat private ose politike mund të komprometojnë objektivitetin ose transparencën e tyre.
- Të gjithë anëtarët janë të detyruar të veprojnë me besim të mirë, besnikëri dhe kujdes ndaj Këshillit të Nxënësve.
Neni 8 – Ndalimi i Mbledhjes së Fondeve, Fushatave dhe Mbështetjes për Partitë dhe Kandidatët Politikë:
- Këshilli i Nxënësve dhe përfaqësuesit e tij ndalohen rreptësisht të përfshihen në fushata ose mbledhje fondesh për partitë politike apo kandidatët.
Si organizatë udhëheqëse për punën me Këshillat e Nxënësve, KYC mbetet i përkushtuar ndaj pavarësisë, gjithëpërfshirjes dhe demokracisë së tyre. KYC dënon zhvillimet e fundit që cenojnë neutralitetin e Këshillave të Nxënësve dhe distancohet nga çdo aktivitet i tillë. Për më shumë se dy dekada, ne kemi qëndruar besnikë ndaj vlerave tona dhe do të vazhdojmë të mbështesim zërin e nxënësve, të lirë nga presionet dhe konfliktet e interesit.
###
Prishtinë, 09 Janar 2025
KYC Kosova
kyckosova@gmail.com
Recent Comments