Këshilli Rinor Kosovar ka filluar monitorimin e Këshillit Drejtues të Shkollës që nga viti 2012 me qëllim implementimin e legjislacionit, fuqizimin dhe strukturimin e këtij organi vendim-marrës që do të shërbente për përmirësimin e gjendjes së arsimit brenda shkollave.

Fillimisht, në vitet e para të monitorimit KYC e ka vërejtur që përkundër hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, rrjedhimisht neni 17 që e rregullon funksionimin e Këshillit Drejtues të Shkollës, ai nuk është implementuar me saktësi. Kështu që, pas angazhimit dhe rekomandimeve tona krahasuar monitorimin paraprak ku Këshillat Drejtues së Shkollave nuk kanë qenë shumë funksional dhe shumë nga të intervistuarit as që kanë pasur njohuri për këtë strukturë, së fundmi është vërejtur përmirësim i kënaqshëm dhe si rezultat kemi Këshilla Drejtues të Shkollës shumë më funksional.

Gjithashtu, përmirësimi për të cilin ka lobuar KYC vazhdimisht, përgjatë monitorimit të këtij organi vendim-marrës ka qenë fakti që nxënësit dhe Këshilli i Nxënëseve në shkollë të konsiderohen si palë e rëndësishme sepse asnjëherë më parë nuk janë konsideruar dhe shumë rrallë janë dëgjuar interesat dhe nevojat e tyre brenda këtij institucioni. Zakonisht për nxënësin jemi mësuar të shohim se si vendosin hisedarët institucional, udhëheqësit e shkollave, mësimdhënësit e prindërit përderisa asnjëri nga ta nuk njeh më mire se vet nxënësi nevojat e tij.

Kësisoj, nëse kthehemi në monitorimin e Këshillit Drejtues të Shkollës të vitit 2012 e shohim që nxënësit nuk janë ftuar në mbledhjet e këtij organi dhe madje edhe në rastet kur ata janë ftuar nuk kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe ngrisin tema relevante të rëndësishme për edukimin e tyre. Monitorimi i vazhdueshëm i KYC ka arritur të shënoj progres në këtë çështje me ç ‘rast me aktin nën ligjor Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2016 Këshilli Drejtues i Shkollës, Neni 3, Paragrafi 1.4 tashmë nxënësit konsiderohen palë e qëndrueshme e Këshillit Drejtues të Shkollës që do të thotë pjesëmarrja e tyre në të gjitha zhvillimet e këtij organi është e obligueshme.

Vlen të theksohet, që tashmë dhe vet nxënësit janë bërë të vëmendshëm karshi kërkesave të tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes, ku në këtë rast do ti potenconim dhe fjalët e një nxënëseje përfaqësuese e shkollës së saj në Këshillin e Nxënësve të Kosovës e cila tha: “Më herët nuk jam ftuar në asnjë mbledhje të Këshillit Drejtues të Shkollës, as që e kam ditur që kam të drejtë. Mirëpo, pas informatës tuaj dhe monitorimit që e keni bërë, unë menjëherë kam kërkuar nga udhëheqësit e shkollës të më përfshijnë në këtë organ duke qenë se kam të drejtë të plotë. Ata kanë pranuar kërkesën time dhe sot vazhdojnë të më njoftojnë për të gjitha takimet dhe aktivitetet”.

Përveç kësaj, ky monitorim ka ndihmuar në ngritjen e vetëdijes për secilin hisedarë brenda KDSH-së duke i bërë ata të kuptojnë për rëndësinë e këtij organi edhe pse përsëri ka shumë çështje që duhet vlerësuar dhe përmirësuar në vazhdimësi të cilat do ti hasni më poshtë në tekst dhe në rekomandime.