Arsimimi i gjeneratave të reja vazhdon të mbetet prioritet dhe njëkohësisht sfidë e të gjitha shoqërive demokratike në botë. Shtetet, por edhe hisedarë tjerë brenda shtetit, vazhdojnë të mbesin të përkushtuar që përveç garantimit të përmbushjes së të drejtës në arsim si e drejtë elementare e njeriut, të garantojnë edhe cilësinë dhe mjedisin e përshtatshëm që procesi mësimor të realizohet në mënyrë të rregullt. Padyshim që edhe Republika e Kosovës bënë pjesë në listën e gjatë të shteteve që zhvillimin e shtetit dhe emancipimin e popullsisë së vet e bazon në edukim cilësor. Që nga paslufta, e sidomos që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në Kosovë janë miratuar shumë ligje e akte nënligjore. Kësisoji, rëndësi e veçantë i është kushtuar themelimit të një baze të fortë legjislative mbi të cilën do të rregulloheshin fushëveprimtari të rëndësishme jetësore. Në
këtë rast janë miratuar shumë ligje e akte nënligjore që specifikisht rregullojnë dhe komponentë të fushës së arsimit. Megjithatë, arsimi në Kosovë vazhdon të jetë i brishtë dhe nuk i përputhet nevojave te tregut. Organizata të shumta vendore e ndërkombëtare kanë asistuar vazhdimisht Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të ngritur nivelin e arsimit në përgjithësi.

 

Këshilli Rinor Kosovar (KYC) që nga viti 2001 është angazhuar në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, kryesisht duke promovuar themelimin dhe funksionimin e Këshillave të Nxënësve në nivel shkollor, e pastaj edhe duke themeluar Këshillin e Nxënësve të Kosovës (KNK) në nivel qendror. Në vazhdën e përpjekjeve për arsim më të mirë në vend, KYC së bashku me UNICEF në vitin 2010 kanë bërë një studim lidhur me cilësinë e arsimit në Kosovë. Rezultatet e këtij studimi tregojnë që sipas të rinjve Kosova nuk qëndron keq sa i përket cilësisë në arsim, megjithëse ende mbesin shumë sfida që duhet adresuar.

English Version

Versioni Shqip