Çka është Këshilli i Nxënësve?
Këshilli i Nxënësve është strukturë përfaqësuese nëpërmjet së cilës nxënësit e shkollës së nivelit 2 dhe 3 shkollat fillore dhe të mesme mund të përfshihen në punët e shkollës, duke punuar në bashkëpunim me zyrtarët e shkollës, prindërit dhe mësimdhënësit për të përfituar kësisoj shkolla dhe nxënësit e saj.
Pse të kemi një Këshill të Nxënësve?
Ligji për Arsimin Para universitar në Republikën e Kosovës, Nr. 04/L-032 (Neni 18) obligon çdo shkollë që të themeloj Këshillat e Nxënësve.
Nxënësit kanë kontribut të çmueshëm për të bërë shkollën e tyre më efikase dhe gjithashtu vetë përfshirja e nxënësve në funksionimin e shkollës në vetvete është një pjesë e çmueshme e procesit mësimor për nxënësit.
Këshilli i Nxënësve iu ofron mundësi nxënësve për t’u përfshirë në këto struktura me qëllim të bashkëpunimit me profesorët, prindërit dhe zyrtarët e shkollës në funksionimin dhe mbarëvajtjen e punëve të shkollës. Hulumtimet tregojnë që Këshillat e Nxënësve mund të përmirësojnë standardet akademike dhe të zvogëlojnë shkallën e atyre që braktisin shkollën. Këshillat e Nxënësve mund të krijojnë ndjenjën e bashkë qeverisjes së shkollës me aktivitete të ndryshme edukuese dhe atraktive që zhvillojnë njohuritë e nxënësve.
Themelimi i Këshillave të Nxënësve krijon mundësi për nxënësit për të përfituar aftësi menaxhuese, komunikuese dhe organizative, të cilat do të jenë me interes të veçantë për të ardhmen e tyre. Ju mundëson nxënësve të marrin përgjegjësi për realizim të projekteve, dhe të demonstrojnë që ata mund të menaxhojnë projekte të tilla. Aq më tepër, kontributi i dhënë nga Këshilli i Nxënësve në zhvillimin e politikave të shkollës në çështje të caktuara mund të ketë përfitime të mëdha për nxënësit dhe shkollën.
Politikat e shkollës janë të prira të jenë më të suksesshme nëse janë të pranueshme nga të gjithë partnerët brenda shkollës.
Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Nr. 04/L-032 parasheh që nxënësit e shkollës të marrin rolin udhëheqës në themelimin dhe funksionimin e Këshillit të Nxënësve, gjithashtu një rol të rëndësishëm luan Këshilli i Drejtues në mbështetjen për themelimin dhe zhvillimet e mëtejshme të Këshillit të Nxënësve.
Në fund të fundit, Këshilli i Nxënësve do të zhvillohet vetëm nëse nxënësit janë të përkushtuar të shtyjnë gjërat përpara.
Recent Comments